Shënohet Java Globale e Ndërmarrësisë

Data e Publikimit 23.11.2021

Programi i USAID-it “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” - ASSET në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, organizoi aktivitetin “Zhvillimi i shkathtësive ndërmarrëse tek adoleshentët”, i cili u mbajt më 10 nëntor 2021 në Prishtinë.

Përgjatë 8-14 nëntor 2021, Java Globale e Ndërmarrësisë (Global Entreprenuership Week, tutje GEW) e cila organizohet në Kosovë nën udhëheqjen e Innovation Centre Kosovo (ICK), promovoi ndërmarrësinë nëpërmjet aktiviteteve lokale të dizajnuara për të vënë në pah potencialin e ndërmarrësve të rinj. Në këtë drejtim, Programi ASSET si një ndër partnerët organizues, mblodhi rreth 50 drejtorë, mësimdhënës dhe nxënës, si dhe bashkëpunëtorë nga MASHTI për të diskutuar për zhvillimin e shkathtësive ndërmarrëse tek adoleshentët.

Në hapjen e kësaj ngjarje, zyrtari për sektorin privat nga Agjencioni i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, z. Methju Kulinane gjatë fjalës përshëndetëse mes tjerash tha:“Duke zhvilluar shkathtësitë ndëmarrëse, ju do të mësoni se si të bëheni të sukseshëm dhe kështu ta ndihmoni vendin tuaj në rrugën e zhvillimit”. Ndërsa shefja e kabinetit të Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit znj. Edita Buçinca në fjalën përshëndetëse në emër të Ministres znj.Nagavci theksoi instutcionalizimin e aktiviteteve të programit ASSET, duke i shtrirë ato në institucionet e tjera arsimore dhe aftësuese.

Drejtoresha e Programit, znj.Valmira Haxhaj Gushlla, duke theksuar kërkesat kurrikulare të Kosovës për pajisjen e nxënësve me shkathtësi ndërmarrëse punën e Programit me gjimnazet në këtë drejtim, i motivoi ata që të vazhdojnë aktivitetet e ndëmarrësisë me gjeneratat në vijim. “Ne do të ju mbështesim edhe këtë vit me këshilla dhe materiale për realizimin e këtij aktiviteti dhe presim me padurim t’i shohim idetë e reja për ndërmarrje dhe realizimin e tyre”, u shpreh ajo.

Në ngjarje ishte e pranishme edhe znj.Jeta Zagragja, bashkë-themeluese e kompanisë UCX, e cila duke e ndarë rrugëtimin e saj në ndëmarrësi i motivoi nxënësit që t’i zhvillojnë shakthtësitë e punës në ekip, mendimit kritik dhe kreativ, këmbënguljes në mënyrë që t’i arrijnë qëllimet e tyre në jetë dhe punë. “Për faktin që ju angazhoheni në aktivitetet të tilla, duke punuar në avansimin e shkathtësive të buta dhe të tjera teknike për të krijuar ndërmarrje, ju veç se keni filluar ndërtimin e rrugës drejt suksesit”, tha ajo.

Përveç fjalëve përshëndetëse, të pranishmit patën mundësi të dëgjojnë shembullin e krijimit të një ndërmarrje nga gjimnazi “Xhelal Hajda-Toni” nga Rahoveci. Kjo ngjarje, e cila pas një kohë të gjatë u organizua në formë fizike, la përshtypje të mirë tek pjesëmarrësit. Temal Haliti nga gjimnazi “Kuvendi i Lezhës” në Viti u shpreh kështu: “Me të vërtetë ishte një eksperiencë e mrekullueshme, dhe jam i mendimit se organizime të tilla me interes të madh për adoleshentët duhet të jenë më të shpeshta”. Edhe për mësimdhënësen Litvana Spahija nga gjimnazi “Hajdar Dushi”, në Gjakovë aktivitetet e ndërlidhura me ndërmarrësi janë shumë të nevojshme sepse në këtë mënyrë të rinjtë përgatiten për tregun e punës.

Ngjarja u përmbyll me prezantimet nga nxënësit e pesë grupeve punuese të përbëra nga shkollat pjesëmarrëse. Mes tjerash ata diskutuan edhe për veprimet që duhet ndërmarrë nga sektori i arsimit dhe biznesit që zhvillimi i shkathtësive ndërmarrëse të zbatohet plotësisht në shkollë. Programi është duke përgatitur raportin përmbledhës të ngjarjes të cilin do ta ndajë me hisedarët.

Për të përkrahur shkollat partnere për arritjen e kompetencave të ndërmarrësisë, Programi ka trajnuar 85 mësimdhënës dhe rreth 2,300 nxënës kanë përfituar nga mësimi për ndërmarrje. Nën mbikëqyrjen e mësimdhënësve të trajnuar në 16 komunat partnere janë themeluar 88 firma ushtrimore.

Poashtu, gjatë shënimit të kësaj jave, Përfaqësues të Programit morën pjesë poashtu në hapjen zyrtare të GEW, në forumin “Fostering Entreprenuerial Spirit through schooling”, e cila u organizua nga Oda Ekonomike Amerikane, si dhe nxënësit e Klubit të Karrierës të gjimnazit “Xhavit Ahmeti” ishin mysafir në ngjarjen “Who was I before I know who I was”.
Fotografitë nga ngjarja.

*** Programi “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” financohet nga USAID dhe zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Corp.